POMPEII nuk është dizajnuar si një restorant tematik për Pompein. Atë e kemi menduar si një interpretim emocional i idesë së qytetit të ngrirë në kohë. Një hapësirë ku materiali, drita dhe copëzat krijojnë ndjesinë e një civilizimi të ruajtur nën shtresat e kohës.
Projektin e kemi mbështetë mbi kontrastin mes përhershmërisë dhe përditshmërisë.
Mes monumentalitetit historik dhe jetës së zakonshme njerëzore. Qasja e jonë nuk ka qenë rikrijimi bukfal i arkitekturës romake, por abstrahimi i saj. Për këtë arsye elementet klasike nuk i përdorëm si dekor nostalgjik, por si ritëm hapësinor dhe kujtesë kolektive.
Harqet nuk janë vetëm ornament, por korniza që organizojnë pamjen dhe lëvizjen brenda lokalit.
Ndërsa edhe materialet i kemi përdor me të njëjtën logjikë, ku travertini dhe druri nuk janë përzgjedhur për të dëshmuar luks por për shkak se vjetrohen me dinjitet. Sipërfaqet mbajnë gjurmë, hije dhe teksturë. Asgjë nuk synon perfeksionin steril.
Elementi më dominant i projektit është tavani dhe pjesa e mureve të ngjyrosura me një portokalli në të kuqe vullkanike, e cila nuk funksionon vetëm si ngjyrë, por si atmosferë.
Në kontrast me këtë intensitet, muret e bardha mbeten pothuajse të heshtura. Ato i kemi pasuru me disa vizatime të gdhendura lehtë në suva: silueta të Pompeit dhe Vezuvit, të perceptueshme vetëm nga afër dhe nën dritë të caktuar. Një kujtesë që nuk imponon veten, por zbulohet me pak kureshtje.
Në qendër të projektit është tavolina e përbashkët monumentale – boshti social i hapësirës. Ajo interpreton idenë e trapezarisë kolektive mesdhetare: një vend ku njerëzit ndajnë ushqimin dhe kohën. Skajet e travertinit të cokrruara i japin sensin e një objekti të gjetur, pothuajse arkeologjik, sikur tavolina të ishte zbuluar e jo prodhuar. Pikërisht për këtë arsye e kemi dizajnuar te gjith mobiliarin enkas për këtë projekt.
Karrigat e tavolinës qendrore nuk janë trajtuar si elemente të blera për të kompletuar enterierin, por si vazhdim i arkitekturës. Ato mbajnë një karakter pothuajse monolitik, njëkohësisht mbeten atraktive për tu ulur. Të njëjtën frymë e ndjekë edhe reklama e jashtme ku emri “POMPEII” nuk vendoset si grafikë komerciale mbi fasadë, por gdhendet në gur si një artefakt i kohës. Jo si reklamë, por si prezencë. Rezultati është një hapësirë që nuk tenton të duket historike e as “ultra-moderne”. Ajo është një moment i ngrirë mes këtyre dy gjendjeve.
POMPEII është konceptuar si një ambient ku koha nuk lexohet në mënyrë lineare, po si një vend ku materiali, drita dhe kujtesa bashkëjetojnë për të krijuar një atmosferë të njohur, por vështirë të kategorizueshme.
Studio ARTEC x ArchiEDU
POMPEII